| Bluetooth ne PDF |
a
 | |
Adelina:
Nga viktimë e trafikut tani në ndihmëse të vajzave
|
| Shkrime
te tjera tek faqet |
|
| | 27/12/2006
- 09:24 • Granit
Sokolaj
Itali-Njihet me emrin
Adelina. Por në të vërtetë ajo ka një emër tjetër. Është nga Durrësi
dhe prej plot 10 vjetësh nuk ka ardhur në Shqipëri. Është rrëmbyer,
përdhunuar e trafikuar. Për shumë vite ka qëndruar në trotuaret e
Italisë, ku u ka siguruar tutorëve miliona lireta dhe më pas, mijëra
euro fitim. Ndërsa vetë është rrahur, torturuar e masakruar. Në trup
i janë fikur cigare, i kanë çarë mishin dhe i kanë futur kripë. Të
gjitha këto e kanë detyruar Adelinën nga Durrësi të prostituojë për
disa vjet. Deri sa një ditë, jeta e saj merr tjetër rrjedhë. Merr
guximin dhe shkon në polici. Ndërsa tani kujdeset për ish-koleget e
saj dhe shkruan libra. “Më parë kisha frikë, sepse më kujtohej
policia në Shijak, në vitin 1996, kur shkova të denoncoj pasi më
kishin rrëmbyer, e policët më shitën te një person tjetër”, - ka
treguar Adelina. Në një interviste ekskluzive për “Gazeta
Shqiptare”, ajo ka treguar për ngritjen e një qendre për pritjen dhe
rehabilitimin e të gjithave viktimave të trafikut. “Dua t’ju fal
ngrohtësi edhe kafshëve të rrugës”, - ka thënë Adelina, duke shtuar
se “duke menduar ato që ka vuajtur vetë, do të ndihmojë më shumë
vajzat që do të dalin nga trafiku”. Ajo ka treguar gjithë historinë
e saj, që nga rrëmbimi në vitin 1996, denoncimin e papranuar nga
policia e Shijakut dhe dorëzimin prej kësaj të fundit në dorën e
trafikantëve, shërimin nga kthetrat e trafikut e deri te qendra e
mbrojtjes së viktimave të trafikut, si dhe marrëdhëniet me policinë
italiane. Cila është historia juaj, si përfunduat në
Itali? Unë jam grabitur me forcë nga disa shqiptarë që
në vitin 1996. Fillimisht më morën nga rruga e më çuan në një
bunker, ku me kanë rrahur dhe përdhunuar me forcë, e pastaj më kanë
shitur dorë pas dore. Kush ju çoi në Itali dhe në çfarë
mënyre? Unë kam ardhur në Itali me tutorët që më kishin
rrëmbyer me zor. Erdhëm me gomone dhe para se te hipja në këtë mjet,
mbaj mend kampin e punëtorëve të plazhit të Durrësit, te Iliria, ku
ishte mbushur me vajza shqiptare që rriheshin barbarisht. Por gjëja
akoma me e keqe ishte se në atë kamp-hotel kishte shumë policë që
bënin seks me mua dhe me vajza të tjera dhe pasi mbaronin punë, na
thoshin: Bëni shumë lekë në Itali. A keni bërë denoncime
për këta njerëz dhe ku? Unë kam bërë denoncim në Itali
për këta njerëz. Për këtë janë arrestuar 40 vetë dhe 80 të tjerë
kanë qenë nën hetim. Gjithashtu, janë liruar dhe 10 vajza të tjera,
pasi denoncova unë në Kuesturën e Vareses. Në Shqipëri
keni bërë ndonjëherë denoncim? Kur më rrëmbyen, unë ika
natën nga shtëpia 3-katëshe që shërbente si hotel, duke u hedhur nga
kati i tretë. Shkova në policinë e Shijakut. Iu thashë që më kishin
rrëmbyer dhe kisha arritur të shpëtoja. Iu tregova edhe emrin e atij
që më rrëmbeu. “Vërtetë? Ja ta marrim të telefon atë e ta pyesim”, -
më thanë policët, duke u tallur me mua. Nisën të më shanin dhe më
hipën në furgon e më çuan te “Vollga” në Durrës. Forcërisht më
morën, pa e pranuar denoncimin tim dhe më çuan te një djalë, L.C. Ky
i fundit më çoi me forcë në një motel dhe më zhveshi lakuriq. Më
përdhunoi dhe pastaj futi dhe shishe brenda trupit tim.
Më pas ju nisën për në Itali? Jo menjëherë.
Nga Vollga më çuan në Golem. Qëndrova disa ditë e mbyllur në një
shtëpi, deri sa më shiten te disa të tjerë dhe këta të fundit më
çuan me gomone në Itali. Sa qëndruat në Itali duke u
shfrytëzuar dhe kush ju shfrytëzonte? Që nga viti 1996,
kam qëndruar shumë vite. Në shumë raste kisha frikë të denoncoja dhe
në policinë italiane. Nuk dija dhe mendoja se do më bënin dhe
policët italianë të njëjtën gjë si shqiptarët në Shijak. Në fakt kam
gabuar, sepse kur mora guximin dhe tregova gjithçka para
karabinierëve, jeta ime ndryshoi. Policia italiane më ndihmoi shumë
dhe falë saj unë jam sot e lirë. Mes shumë vetëve, policia arrestoi
dhe ata që më shfrytëzonin mua, E.T., L.T., S.Xh., ndërsa në
Shqipëri disa janë ende të lirë. Çfarë lidhjeje kanë të
arrestuarit më ata që ju rrëmbyen në Durrës? Lidhja
është e qartë, sepse ata që më rrëmbyen më shitën dorë pas dore.
Si shpëtuat nga kthetrat e trafikut dhe çfarë
bashkëpunimi patët me policinë? Unë shpëtova, sepse
policia italiane me ndihmoi shumë dhe jam e lirë. Faleminderit
policisë italiane. Ku qëndruat pasi ikët nga tutorët dhe
sa kohë ndenjët e fshehur? Unë kam ndenjur në një
qendër të policisë italiane për shumë kohë dhe kam mbrojtjen e saj.
Cila është familja jote, origjina dhe çfarë kontaktesh
keni me prindërit? Dikur kisha një familje, tani nuk e
kam më. Prindërit më kanë “vënë vizën” mua dhe nuk duan t’ia dinë
nëse jetoj apo jo. Tani familja ime është vetëm Kuestura e Vareses,
policia dhe karabinierët italianë. Vetëm ditët e fundit më kanë
ardhur urimet për festat nga disa të afërm. Prej disa
kohësh keni ngritur dhe një qendër për rehabilitimin e viktimave të
trafikut, si ju lindi kjo ide? Ideja e qendrës lindi,
sepse unë e di çfarë do të thotë të jesh skllave dhe dua të ndihmoj
vajzat e gjithë botës. Në këtë qendër do ndihmoj gratë që ndodhen në
vështirësi, do ndihmoj gratë që do të denoncojnë trafikantët e tyre,
do ndihmoj gratë që ndodhen në rrugë. Do ndihmoj dhe qentë e sëmurë,
e të pakuruar, do t’ju jap dashuri të gjithëve. Kjo qendër u
ngrit në Matera të Italisë dhe u dedikohet të gjitha Adelinave. Po
ashtu, një dedikim i veçantë është për një stacion karabinierësh në
Matera Trikariko dhe komandantit Mario Tusa, i cili është bërë
shpëtimtari i qindra vajzave që shfrytëzoheshin për prostitucion.
Aktualisht me çfarë po merreni? Unë jam
duke xhiruar një spot publicitar kundër shfrytëzimit të
prostitucionit. Pjesë e këtij spoti do të jetë dhe kapiteni Tusa.
Në çfarë faze të ngritjes se kësaj qendre jeni?
Qendra është e përfunduar dhe është gati të presë
banoret e para të saj. Me kë bashkëpunoni për këtë dhe
kush janë ata që financojnë për ta ngritur e mbajtur?
Janë disa vullnetarë që financojnë. Por, kam pasur të ardhura të
mira dhe nga libri im “Libera”, të cilin e kam shkuar pasi kam
shpëtuar nga prostitucioni. Gjithashtu, për këtë qendër
sponsorizojnë dhe policia e karabinieria. Nëse ka
filluar puna në qendër, a keni viktima të trafikut të strehuara aty?
Ende jo. Jam në fazën e bashkëpunimit me institucione
të ndryshme dhe me policinë që të vijnë të parat nga e gjithë
Italia. Po ashtu, po punoj shumë me internetin që të kontaktoj vetë
viktima trafiku e t’i çoj në polici. Çfarë kontaktesh
keni me Shqipërinë dhe a keni me frike nga rrëmbyesit dhe tutorët
tuaj që mund të hakmerren? Unë në Shqipëri nuk kam
ndërmend të vij ndonjëherë për qejf, sepse kam frikë. Kjo, pasi mbaj
mend shumë mirë atë që më punoi policia e Shijakut. Për asgjë nuk
mund t’i kërkoj ndihmë, për asgjë nuk mund të besoj më te ajo.
Ndërsa në Itali, nuk kam pse të kem frikë prej askujt. A
janë munduar t’ju gjejnë sërish ish-tutorët, pasi jeni larguar prej
tyre? Pjesa që ndodheshin në Itali kur denoncova unë,
janë të gjithë në burg dhe s’kanë pasur mundësi. Tani jam e mbrojtur
nga policia.
Kthehu
mbrapa |
|
|